Ks Besa

Thursday, February 4, 2010

Besa e padukshme, Flamurtari fiton me lehtësi 3-0

FLAMURTARI – BESA 3-0

Shënues: Sakaj 27′ (pen), Memelli 69′, Lena 83′

Gjyqtarë: K.Meta, G.Qirici, D.Rexha (Tiranë)



Eshtë riluajtur ndeshja e shumëpërfolur mes Flamurtarit dhe Besës, e cila u përshkrua nga probleme të shumta herën e parë, kur përfundoi 1-0 për vlonjatët. Reklamimi i bërë nga klubi kavajas, nisur nga fakti se gjyqtari ndërroi mendje 3 herë brenda 10 minutave për një penallti, e detyroi Komisionin e Disiplinës në FSHF që ta konsideronte gabim teknik këtë gjë dhe ndeshja të riluhej. Kështu, të mërkurën e sotme, datë 3 shkurt 2010, në stadiumin pa tifozë të Vlorës, të dyja skuadrat janë vënë përballë njëra-tjetrës. Me Flamurtarin, që kërkonte medoemos 3 pikët, për t’iu larguar sadopak vendit të fundit në renditje, dhe me Besën, që nuk donte të distancohej më shumë nga Dinamo e vendit të parë. Por, krejt ndryshe nga pritshmëritë, në ndeshjen e riluajtur është shfaqur një Besë, që vetëm emrin kishte të tillë, pavarësisht formacionit titullar që ka përdorur trajneri Shpetim Duro. Lojtarë të skuadrës kavajase, që mezi lëviznin nëpër fushë, a thua i kishe futur me zor në luanin, gabime foshnjarake që në pasimin e parë të topit, mungesë qartësie në organizim dhe një sulm, me Sinanin dhe Cikalleshin, të shkëputur tërësisht nga pjesa tjetër e grupit. Në këtë mënyrë, i është lehtësuar mjaft puna Flamurtarit, që ka fituar me një rezultat krejt të papritur, 3-0. Tre gola për tri pikë të arta, që ngjallin shpresë në kampin vlonjat për vijimësinë e garës, ndërkohë që mbi Besën hidhen hije të forta dyshimi. Nuk po themi dyshime ekstrafutboll “fair-play“, por dyshime mbi vlerat reale të saj, për të rivalizuar Dinamon në luftën për titull kampion, sikurse vijojnë të deklarojnë drejtuesit e saj. Madje, me cka shfaqi në Vlorë, në riluajtjen e ndeshjes së javës së 18-të, me Flamurtarin, vë në rrezik serioz edhe vendin e dytë, që sulmohet nga kampionët në fuqi, Tirana. Pavarësisht emrave të spikatur të futbollit shqiptar, që ka në gjirin e saj Besa, në Vlorë të gjithë ishin hija e vetvetes, krejt të mpirë, pa dëshirë për të luajtur, aq më tepër për të fituar. Në këtë mënyrë, tërë ajo luftë që bëri presidenti Bizhdili, si fillim për ta marrë fitoren në tavolinë, pastaj për ta riluajtur ndeshjen, i ngjau asaj shprehjes popullore: “U mbars mali e polli një mi“. Në radhët e vlonjatëve gëzimi për këtë fitore ka qenë i ligjshëm, sepse e shohin veten me 18 pikë tashmë, aq sa edhe gramozi, duke ia lënë fundin e renditjes Skënderbeut. Ka rënë në sy loja e mirë e Memellit për vlonjatët, i cili ka fituar një penallti, të kthyer në gol nga Sakaj, në pjesën e parë, por ka dyfishuar dhe siguruar fitoren e Flamurtarit në pjesën e dytë. Golin e tretë e ka shënuar shqiptaro-maqedonasi Lena, në minutën e 83-të.